BISEDIME PËR GROENLANDËN / DANIMARKA: TAKIM POZITIV ME SHBA, POR NUK JEMI ENDE DAKORD

Nuk ishte një nismë pa rezultat. Ministrat e jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës deklaruan se bisedimet diplomatike me Shtetet e Bashkuara kanë qenë në masë të madhe konstruktive, por kriza nuk ka marrë fund.

Ata paralajmërojnë se ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare lidhur me kërcënimin që, sipas tyre, përbën mania e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të territorit autonom.

“Bisedimet ishin pozitive, por e ardhmja e Groenlandës, mbetet e paqartë. Ende nuk jemi aty ku duam të jemi. Rruga përpara është e gjatë dhe është ende herët për të thënë se ku do të përfundojmë”, u shpreh Vivian Motzfeldt, ministre e jashtme e Groenlandës.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen: “Nuk kemi dalë ende nga kjo situatë dhe nuk kemi një zgjidhje përfundimtare. Megjithatë, pozicioni ynë sot është shumë më i mirë krahasuar me disa javë më parë”.

Trump ka vijuar të shprehë publikisht dëshirën që Groenlanda t’i bashkohet SHBA-së, duke e justifikuar këtë me interesa të sigurisë kombëtare.

Megjithëse një traktat i vitit 1951 i lejon ushtrisë amerikane të krijojë dhe operojë baza ushtarake në Groenlandë, Trump ka argumentuar se mbrojtja e territorit mund të garantohet plotësisht vetëm nëse ai është në pronësi të SHBA-së, duke e quajtur këtë një hap “psikologjikisht të rëndësishëm”.

Ai pretendon se Kina dhe Rusia mund të përbëjnë një kërcënim për Groenlandën, veçanërisht me shkrirjen e akullnajave dhe hapjen e rrugëve të reja detare në Arktik — një vlerësim që Danimarka dhe aleatët e saj në NATO e hedhin poshtë.

Si rezultat i tensioneve, u krijua një grup pune i përbashkët mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së, me qëllim zbutjen shqetësimeve amerikane për sigurinë.  Rasmussen konfirmoi se takimet e para tashmë kanë ndodhur dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

SHARE