Mbi 1,000 persona u evakuan me urgjencë nga qyteti kodrinor i Niscemit në Sicili, pasi një rrëshqitje e madhe toke, rreth 4 km e gjatë, kërcënoi banesat e ndërtuara në mënyrë të pasigurt buzë shkëmbit.
Pamjet nga ajri treguan ndërtesat që dukeshin sikur varen mbi greminën e krijuar.
Humnerat e thella që u formuan në qytet pasqyrojnë qartë përmasat e katastrofës natyrore. Fatmirësisht, deri tani nuk ka raportime për të vdekur ose të lënduar.
Reshjet e dendura të ditëve të fundit janë shkaktare të rrëshqitjes masive të tokës, duke krijuar një situatë që kryetari i bashkisë, Massimiliano Conti, e përshkroi si “të tmerrshme”.
Ai paralajmëroi se gjendja mund të përkeqësohet më tej, pasi po regjistrohen edhe shembje të reja dheu. Shkollat në zonë janë mbyllur për sigurinë e fëmijëve, ndërsa autoritetet lokale po punojnë ngushtë me policinë, zjarrfikësit dhe njësitë e mbrojtjes civile për të hartuar një plan veprimi dhe për të rivendosur normalitetin në qytet.
Zonat bregdetare të Sicilisë u goditën javën e kaluar nga Stuhia Harry, e cila shkaktoi dëme në rrugë dhe banesa. Të hënën, Italia shpalli gjendjen e emergjencës për rajonet jugore të Sicilisë, Sardenjës dhe Kalabrisë.








