Çmimi i floririt kapërceu për herë të parë në histori pragun e 5.000 dollarëve, duke përfituar nga statusi i tij si aset i sigurt përballë pasigurive gjeopolitike, tregtare dhe monetare të shkaktuara nga politika e Donald Trump.
Çmimi i metalit të verdhë, i mbështetur nga dobësimi i dollarit, ka qenë në rritje të vazhdueshme për dy vjet: në janar 2024, një onz vlente pak më shumë se 2.000 dollarë. Ky kapërcim i çmimit, dhe në tërësi rritja e vazhdueshme e tij, po shihen si pasojë e faktit që investitorët kërkojnë një strehë të sigurt përballë paqëndrueshmërisë globale.
Vlera e 5.100 dollarë për onzë konsiderohet qartazi rrjedhojë e një kërkese të fortë. Tensionet gjeopolitike (përfshirë mosmarrëveshjet midis SHBA dhe NATO-s) dhe pasiguria financiare kanë shtyrë investitorët drejt arit si aset mbrojtës. Një dollar amerikan më i dobët dhe frika nga politika monetare dhe fiskale-përfshirë tarifat tregtare, kërcënimet e tarifave dhe pasigurinë politike në SHBA-kanë nxitur blerjet.
Çmimi i arit u rrit rreth 64% në vitin 2025, një nga përparimet më të forta vjetore që nga fundi i viteve 1970, dhe ka vazhduar të rritet edhe në fillimin e 2026-tës. Argjendi gjithashtu mbërriti nivele rekord, duke kaluar 100 dollarë për onzë, si pjesë e të njëjtës rritje të ndjeshme te metalet e çmuara.
Analistët presin që çmimet mund të vazhdojnë të rriten gjatë vitit 2026 për shkak të kërkesës së vazhdueshme si “strehë e sigurtë” dhe blerjeve nga bankat qendrore.








