TIKTOK SHMANG MBYLLJEN NË SHBA / FINALIZON MARRËVESHJEN, KALON NË PRONËSI AMERIKANE

Pronari kinez i TikTok-ut, ByteDance, njoftoi se ka finalizuar një marrëveshje për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët me pronësi amerikane, e cila do të ruajë të dhënat në SHBA, me qëllim që të shmangë mbylljen e aplikacionit të videove të shkurtra në vend.

TikTok-u ka mbi 200 milionë përdorues amerikanë.

Kjo marrëveshje përbën një moment kyç për kompaninë e rrjeteve sociale, pas përplasjeve disavjeçare që nisën në gusht të vitit 2020, kur presidenti amerikan Donald Trump u përpoq ta mbyllte aplikacionin për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Më pas, Trump vendosi të mos e zbatojë një ligj të miratuar në prill të vitit 2024, i cili kërkonte që ByteDance t’i shiste asetet e veta në SHBA deri në janarin pasues ose të përballej me mbyllje.

Kjo masë u mbështet edhe nga Gjykata Supreme.

ByteDance theksoi se ndërmarrja e re do të ruajë të dhënat e përdoruesve amerikanë, aplikacionet dhe algoritmet përmes masave të privatësisë së të dhënave dhe sigurisë kibernetike.

Kompania nuk dha shumë hollësi lidhur me procesin e shkëputjes së pronësisë.

Trump e vlerësoi marrëveshjen në një postim në rrjetet sociale, duke thënë se TikTok-u “tani do të jetë në pronësi të një grupi patriotësh dhe investitorësh të mëdhenj amerikanë, më të mëdhenjtë në botë”.

Ai falënderoi gjithashtu presidentin e Kinës, Xi Jinping, “për bashkëpunimin dhe miratimin e marrëveshjes. Ai mund të kishte vepruar ndryshe, por nuk e bëri, dhe vendimi i tij vlerësohet,” shkroi Trump.

Sipas marrëveshjes, investitorët amerikanë dhe ndërkombëtarë do të zotërojnë 80.1% të ndërmarrjes, ndërsa ByteDance do të mbajë 19.9% të aksioneve. Tre investitorët menaxhues të TikTok-ut të ri – gjiganti i teknologjisë Oracle, grupi i kapitalit privat Silver Lake dhe firma investuese MGX me seli në Abu Dhabi – do të zotërojnë secili nga 15%.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters se qeveritë e SHBA-së dhe Kinës e kanë miratuar marrëveshjen. Trump ka më shumë se 16 milionë ndjekës në llogarinë e tij personale në TikTok dhe tha se ky aplikacion e ndihmoi në fitimin e zgjedhjeve presidenciale. Shtëpia e Bardhë gjithashtu hapi një llogari zyrtare në TikTok në gusht.

SHARE