Banorët e Kievit po bëjnë gjithçka që mundin për të mbijetuar në dimrin më të ftohtë dhe më të errët të luftës: mbledhin borë për ta shkrirë dhe përdorur si ujë në shtëpi; flenë me doreza, pallto dhe kapele; ngrohin tullat në soba me gaz për pak më shumë ngrohtësi.
“Kur nuk ka energji elektrike, nuk ka ngrohje; kjo do të thotë që apartamenti ngrin”, thotë Anton Rybikov, babai i dy fëmijëve tre dhe dy vjeç.
Ushtaraku 39-vjeçar tregon se njëri nga djemtë e tij u sëmur kohët e fundit me pneumoni, pasi temperatura në apartament ishte vetëm 9 gradë Celsius gjatë një ndërprerjeje prej më shumë se 19 orësh pas sulmeve ajrore ruse.
“Është shumë e vështirë,” shton Rybikov, ndërsa përgatitet të ngrohë ujin në një kazan metalik.
“Ky dimër është më i vështiri,” thotë ai.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës në muajt e fundit, duke goditur qytetet e Kievit, Kharkivit dhe Dnipros me raketa dhe dronë.
Inteligjenca ushtarake britanike vlerësoi se Rusia lëshoi 55,000 sisteme ajrore pa pilot në Ukrainë vitin e kaluar, rreth pesë herë më shumë se në vitin 2024.
Ukraina ka bërë thirrje për më shumë mbrojtje ajrore perëndimore për të përballuar breshërinë e dronëve dhe raketave.
Me temperaturat që ranë deri në minus 18 gradë Celsius në Kievin e mbuluar me borë, qindra mijëra nga tre milionë banorët e kryeqytetit po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe ujit.
Të martën, pas një sulmi të madh rus gjatë natës, Presidenti Volodymyr Zelenski njoftoi se më shumë se një milion familje në qytet nuk kishin energji elektrike. Rutina të thjeshta si dushi dhe gatimi tani janë një sfidë.
Për herë të parë që nga pushtimi i plotë rus katër vjet më parë, qeveria shpalli javën e kaluar gjendje të jashtëzakonshme për krizën energjetike.
Rusia thotë se sulmet e saj ndaj Ukrainës kanë për qëllim dobësimin e ushtrisë ukrainase dhe mohon se ka synuar civilët.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, thotë se sulmet ndaj kryeqytetit synojnë “të thyejnë rezistencën dhe shpirtin e ukrainasve.”








