Foto: DAN
Pas rreth nëntë vitesh, procesi i demarkacionit mes Kryeqytetit të Podgoricës dhe Komunës së Tuzit është rifilluar.
Mbledhja e parë e Këshillit Organizativ për këtë vit u zhvillua së fundmi, ndërsa nga Ministria e Administratës Publike bëhet e ditur se brenda 30 ditëve të ardhshme pritet të dihet nëse do të arrihet një marrëveshje apo nëse çështja do të zgjidhet përmes arbitrazhit.
Ky takim është i katërmbëdhjeti që nga fillimi i procesit dhe ngriti pyetjen nëse ky proces shumëvjeçar po i afrohet përfundimit.
Ministria e Administratës Publike thekson se si arritja e marrëveshjes brenda Këshillit, ashtu edhe arbitrazhi, janë opsione të mundshme, por qëllimi kryesor mbetet përfundimi i procesit.
Sekretari shtetëror Naim Gjokaj shpjegoi se brenda 30 ditëve pritet një vendim i qartë nga të dyja palët, që do të tregojë nëse ato bien dakord për zgjidhjen brenda Këshillit Organizativ ose nëse do të shkohet drejt arbitrazhit.
Gjokaj shtoi se nevoja është për një zgjidhje më efikase, pasi Këshilli Organizativ nuk ka dhënë rezultatet e pritshme ndër vite, dhe se qëllimi është krijimi i kushteve për më shumë investime në të dyja komunat dhe për menaxhimin e tokës nga vetë njësitë lokale.
Megjithëse nuk ka ende një vendim përfundimtar, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive.









