NIMANBEGU: KRIPORJA DO TË MENAXHOHET PROFESIONALISHT DHE NË DOBI TË NATYRËS DHE TURIZMIT

Foto: Tv Boin

Pas vitesh pritjeje, Parku i Natyrës “Kriporja e Ulqinit” po hyn në një fazë të re.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, njoftoi se marrëveshja për themelimin e shoqërisë që do ta menaxhojë parkun tashmë është arritur dhe kontrata pritet të nënshkruhet javën e ardhshme.

“Ne kemi punuar gjatë për këtë proces, dhe që nga marrja e detyrës Kriporja është bërë një nga prioritetet e mia. Drafti i kontratës ka kaluar të gjitha procedurat dhe ka marrë miratimin e institucioneve përkatëse. Tani presim vetëm finalizimin dhe nënshkrimin e saj,” tha Nimanbegu.

Shoqëria do të ketë 60% pronësi nga Qeveria dhe 40% nga Komuna e Ulqinit dhe pritet të nisë punën në gjysmën e parë të vitit 2026. Menaxhimi nuk do të fokusohet vetëm në fitim, por edhe në mbrojtjen e ekosistemit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

“Kriporja është një ekosistem i veçantë që kërkon shumë kujdes dhe ekspertizë. Për këtë arsye, në ekipin menaxhues do të kemi specialistë të ekologjisë dhe mbrojtjes së natyrës. Ky proces mund të mos jetë i shpejtë, por është i domosdoshëm për ruajtjen e këtij territori unik,” shtoi Nimanbegu.

Mungesa e një menaxhimi të qëndrueshëm ka kërcënuar ekosistemin dhe ka penguar rindërtimin e prodhimit të kripës. Struktura e re pritet të zgjidhë këto probleme, të sigurojë mbrojtje të vazhdueshme dhe të mundësojë zhvillim të turizmit të qëndrueshëm.

SHARE