Bashkimi Evropian ka përshëndetur njoftimin e Shteteve të Bashkuara për nisjen e fazës së dytë të planit për Gazën, duke theksuar gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e përpjekjeve për paqe në këtë territor.
Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, bëri të ditur se BE-ja e mirëpret planin e miratuar nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai vuri theksin te krijimi i Komitetit Kombëtar Palestinez për administrimin e Gazës, i cili do të funksionojë me mbështetjen e Autoritetit Palestinez.
“El Anouni theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen për paqen në Gaza përmes instrumenteve humanitare, të sigurisë, diplomatike dhe të bashkëpunimit,” thuhet në deklaratë.
Ai shtoi se BE-ja pret zbatimin e plotë të Planit të Paqes, përfshirë çarmatimin e Hamasit, ofrimin e ndihmës humanitare në shkallë të gjerë si dhe procesin e rindërtimit të Gazës.
Ndërkohë, të mërkurën, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, njoftoi se faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit ka hyrë në fuqi, si pjesë e planit 20-pikësh të presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Sipas Witkoff, kjo fazë parashikon krijimin e një administrate palestineze teknokratike kalimtare në Gaza, të njohur si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), si dhe fillimin e procesit të rindërtimit të territorit.








