Gjermania dhe Holanda janë përplasur me Francën lidhur me ndihmën ushtarake në vlerë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila përfshin blerjen e armatimit amerikan për luftën kundër Rusisë.
Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord parimisht për këtë paketë ndihme gjatë samitit të Këshillit Evropian në dhjetor, por ende mbeten të hapura negociatat për kushtet formale të financimit, pas propozimit të Komisionit Evropian të paraqitur të mërkurën.
Sipas Politico, kjo ka nxitur negociata të tensionuara me Francën, e cila po udhëheq përpjekjet për të kufizuar shpenzimin e fondeve të BE-së për blerjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur po thellohet përçarja në aleancën transatlantike.
Presidenti francez Emmanuel Macron po kërkon që kompanive evropiane të mbrojtjes t’u jepet përparësi, me synimin për të forcuar industrinë ushtarake të BE-së, edhe nëse kjo nënkupton që Ukraina të mos ketë qasje të menjëhershme në pajisjet që i nevojiten për të përballuar forcat ruse.
Në anën tjetër, shumica e vendeve anëtare, të udhëhequra nga Gjermania dhe Holanda, argumentojnë se Ukraina duhet të ketë më shumë liri në përdorimin e fondeve evropiane për të financuar mbrojtjen e saj, përfshirë edhe blerjen e pajisjeve nga SHBA-ja. Kjo mbështetet edhe nga dokumente të pozicioneve të vendeve anëtare, të siguruara nga Politico.
Debatet mbi përfshirjen e Uashingtonit në programet e blerjes së mbrojtjes së BE-së kanë vazhduar prej vitesh, por ndarjet janë thelluar edhe më shumë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar me marrje ushtarake të Grenlandës.
Në këtë kontekst, qeveria holandeze ka theksuar urgjencën e nevojave të Ukrainës. “Ukraina ka nevojë urgjente për pajisje të prodhuara nga vende të treta, veçanërisht për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe interceptorë të prodhuar në SHBA, municione, pjesë këmbimi për avionët F-16, si dhe kapacitete për goditje në thellësi”, thuhet në një letër të dërguar nga Haga vendeve të tjera të BE-së.






