Sot janë mbushur 16 vite që kur u nda nga jeta Tomë Bojaj, themeluesi dhe pronari i TV Boin.
Më 1 maj, 16 vite më parë, pushoi së rrahuri zemra e një vizionari që ia kushtoi jetën çështjes kombëtare dhe shërbimit ndaj komunitetit shqiptar.
Tomë Bojaj ishte një aktivist i përkushtuar, i cili veproi fillimisht përmes sportit dhe rinisë, për të vazhduar më pas misionin e tij të rëndësishëm në fushën e medias. I udhëhequr nga pasioni për kamerën dhe ndjeshmëria e thellë për mungesën e informimit në gjuhën shqipe, ai bëri një hap historik duke themeluar TV Boin – televizionin e parë dhe të vetëm në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Ndarja e tij nga jeta ishte një humbje e madhe për familjen, për Televizionin Boin dhe për të gjithë Malësinë. Megjithatë, vizioni i tij nuk u ndal. Mediumi vazhdoi punën me përkushtim, duke ndjekur rrugën që kishte planifikuar ideologu i saj, i ndjeri Tomë Bojaj – rrugën e së vërtetës, të identitetit dhe të shërbimit ndaj komunitetit shqiptar.










