Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, një numër i madh fëmijësh nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës).
Veçanërisht shqetësues është fakti se në fillim të vitit 2026 çdo i dyti fëmijë i moshës parashkollore është i pavaksinuar.
Mbulimi me dozën e parë të vaksinës MMR është 49,5% tek fëmijët parashkollorë, 87,1% tek nxënësit e shkollave fillore dhe 91,4% tek nxënësit e shkollave të mesme. Në total, 31.409 fëmijë të moshës 1 deri në 18 vjeç nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës.
Edhe mbulimi me dozën e dytë mbetet dukshëm nën nivelin e rekomanduar prej 95%.
Epidemiologët theksojnë se vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër fruthit. Vaksina është e sigurt dhe efektive, ndërsa imunizimi i plotë përfshin dy doza: e para pas mbushjes së një viti dhe e dyta para fillimit të shkollës.
ISHP u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët pa vonesë dhe të mos i dërgojnë fëmijët e pavaksinuar në ambiente kolektive si çerdhe, kopshte, lojëra të mbyllura, aktivitete sportive apo ekskursione.
Personat që nuk janë plotësisht të vaksinuar ose nuk kanë dëshmi se e kanë kaluar sëmundjen këshillohen të shmangin udhëtimet në zona ku ka raste të fruthit dhe pjesëmarrjen në ngjarje masive, veçanërisht në ambiente të mbyllura.
Nga marsi deri më 31 dhjetor 2025 nuk është regjistruar asnjë rast i fruthit në Mal të Zi. Në tre muajt e parë të vitit 2025 u regjistruan 12 raste, ndërsa rasti i fundit i konfirmuar ishte më 25 mars 2025, tek një person 52-vjeçar nga Gucia. Në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 35 raste të fruthit.









