MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS THOTË SE TË GJITHA RRUGËT NË KOSOVË JANË TË KALUESHME, POR APELON PËR KUJDES

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se pas reshjeve të borës, të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme, por bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

“Gjatë gjithë natës kemi intervenuar në shumicën e rrugëve që janë në kompetencë të ministrisë. Edhe sot në mëngjes kemi vazhduar punën në pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës”, shkroi ai në Facebook.

Që nga mbrëmja e së mërkurës, në Kosovë ka nisur rënia e temperaturave dhe reshjeve të borës, teksa paraprakisht vendi u përballë me vërshime shkatërruese.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës mbrëmjen e së mërkurës paralajmëroi për ngrica dhe, së bashku edhe me institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, ai i bëri thirrje qytetarëve për kujdes gjatë qarkullimit në trafik.

SHARE