Bashkimi Evropian do t’i japë Ukrainës një kredi pa interes në vlerë prej 90 miliardë eurosh për ta ndihmuar financimin e vendit të shkatërruar nga lufta, pasi dështoi të arrijë një marrëveshje për një propozim që synonte përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të mbështetur nevojat ekonomike dhe ushtarake të Kievit në vitet në vijim.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, shkroi në X më 19 dhjetor se fondet do të jenë për vitin 2026 dhe 2027.
“Ne premtuam dhe e realizuam”, tha ai.
Zyrtarët e BE-së nisën takimin më 18 dhjetor lidhur me arritjen e një pajtimi për çështjen e financimit. Bisedimet u përqendruan në një propozim që parashihte përdorimin e dhjetëra miliarda eurove nga asetet të ngrira ruse për të mbuluar nevojat financiare të Ukrainës.
Megjithatë, shqetësimet ligjore bënë që disa vende anëtare të bllokut të mos e pranonin këtë propozim. Në vend të saj, u arrit marrëveshja për kredinë, e cila bazohet në huamarrje në tregjet e kapitalit dhe mbështetet nga “rezerva buxhetore e BE-së”, term që rëndom përdoret për të përshkruar kapacitetin shtesë të huamarrjes.
“Pas diskutimeve të gjata, është e qartë se kreditë për reparacione do të kërkojnë më shumë punë, pasi udhëheqësve u nevojitet më shumë kohë për t’i shqyrtuar detajet”, tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së.
Financimi për Ukrainën është shndërruar në një çështje madhore për bllokun prej 27 anëtarësh, teksa Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar mbështetjen e tyre financiare dhe shtete si Hungaria po shtyjnë përpara idenë e reduktimit të financimit.







