SHEFI I OKB-së: PROGRESI KUNDËR URISË NË GAZA “I BRISHTË”, 1,6 MILION NJERËZ ENDE PËRBALLEN ME PASIGURI USHQIMORE

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi sot se, ndonëse zia e bukës në Rripin e Gazës është shmangur, situata humanitare mbetet jashtëzakonisht e brishtë, me më shumë se 75 për qind të popullsisë që përballet me pasiguri akute ushqimore dhe rreziqe kritike të kequshqyerjes, trasnemton Anadolu.

“Zia e bukës është shtyrë mbrapa. Shumë më tepër njerëz janë në gjendje të kenë qasje në ushqimin që u nevojitet për të mbijetuar”, tha Guterres në një konferencë për shtyp në selinë e OKB-së në Nju Jork. “Arritjet janë të brishta, jashtëzakonisht të rrezikuara”, shtoi ai.

Ai tha se 1,6 milion njerëz në Gaza, më shumë se 75 për qind e popullsisë, pritet të përballen me “nivele ekstreme të pasigurisë akute ushqimore dhe rreziqe kritike të kequshqyerjes”.

Guterres përsëriti gjithashtu thirrjet për një “armëpushim të qëndrueshëm”, duke theksuar: “Na duhen më shumë pika kalimi, heqje e kufizimeve për artikujt kritikë, eliminim i burokracive, rrugë të sigurta brenda Gazës, financim i qëndrueshëm dhe qasje e papenguar, përfshirë edhe për OJQ-të”.

Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC) publikoi sot gjetjet e tij të reja, duke vënë në dukje se kushtet e urisë në enklavë janë zbutur përkohësisht pas uljes së luftimeve dhe përmirësimit të qasjes për dërgesat humanitare dhe tregtare të ushqimit. Megjithatë, raporti i fundit paralajmëroi se situata e përgjithshme në Gaza mbetet kritike.

Kreu i OKB-së foli gjithashtu mbi refuzimin e Izraelit për të kaluar në fazën e dytë të planit të armëpushimit në Gaza deri në kthimin e eshtrave të pengut të fundit të vdekur.

“Është thelbësore të kalohet në fazën e dytë dhe nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë pretekst për ta shmangur këtë”, tha Guterres.

“Është shumë e rëndësishme të ecet përpara me procesin e paqes në tërësi. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për fazën e dytë; por për të siguruar që faza e parë, dhe veçanërisht armëpushimi, të zbatohen plotësisht”, shtoi ai.

SHARE