RRITET NUMRI I TË PREKURVE NGA GRIPI NË MAL TË ZI, NJË VIKTIMË NGA VIRUSI I INFLUENCËS TIP A

Foto: Ilustrim

Në Mal të Zi është shënuar rritje e numrit të të sëmurëve nga gripi, ndërsa Instituti për Shëndet Publik ka raportuar një rast vdekjeje si pasojë e infeksionit me virusin e influencës tip A.

Viktima nuk ishte e vaksinuar kundër gripit.

Sipas të dhënave të shërbimeve të kujdesit parësor, gjatë javës së fundit është vërejtur rritje e qartë e aktivitetit të gripit.

Nga 1 deri më 7 dhjetor janë regjistruar laboratorikisht 32 raste të gripit dhe 25 raste të RSV.

Që nga nisja e sezonit të monitorimit, janë konfirmuar 70 raste të gripit dhe 111 raste të RSV, me rritje të mostrave pozitive te fëmijët nën 5 vjeç.

Numri i rasteve me COVID-19 është në rënie.

Nga 571 mostra të testuara për grip, 71 (12,4%) rezultuan pozitive, të gjitha me virusin e influencës tip A. Subtipizimi tregoi se 36% i përkasin A/H1 dhe 64% A/H3.

Epidemiologët theksojnë se tipi A shkakton format më të rënda të gripit për shkak të mutacioneve të shpejta.

Simptomat e gripit shfaqen papritur: temperaturë e lartë, dhimbje muskujsh e kockash, dhimbje koke, lodhje e humbje oreksi, ndërsa komplikacionet mund të jenë të moderuara ose të rënda, sidomos tek grupet e rrezikut – të moshuarit, të sëmurët kronikë, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar.

Fushata e vaksinimit për sezonin 2025/26 ka nisur më 20 tetor dhe deri më 10 dhjetor janë vaksinuar 18.641 persona.

ISHP rekomandon vaksinimin dhe, në rast shfaqjeje simptomash tek personat e rrezikuar, trajtim të hershëm.

SHARE