Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqje më 11 dhjetor pas javësh protesta kundër korrupsionit.
Mijëra persona kanë protestuar në Bullgari kundër planeve buxhetore të Qeverisë, duke e detyruar më pas ekzekutivin që të heqë dorë nga to. Më pas, protestuesit kërkuan kërkuar dorëheqjen e kabinetit qeverisës.
Zhelyazkov njoftoi për dorëheqjen e tij përmes një deklarate të transmetuar nga televizionet, disa minuta para se Parlamenti ishte paraparë që të votonte për një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit.
Dorëheqja e Qeverisë vjen pak para se Bullgaria t’i bashkohet eurozonës më 1 janar 2026.
“Koalicioni ynë u takua, ne diskutuam për situatën aktuale, për sfidat me të cilat përballemi dhe vendimet që duhet t’i marrim me përgjegjësi”, tha Zhelyazkov, gjatë njoftimit për dorëheqje.
“Dëshira jonë është që të jemi në nivelin që pret shoqëria. Pushteti buron nga zëri i qytetarëve”, theksoi ai.
Pavarësisht se Qeveria tërhoqi vendimin për buxhetin, protestat në Sofja dhe dhjetëra qytete bullgare vazhduan, me qytetarët që kanë kundërshtuar korrupsionin dhe dështimin e qeverive të njëpasnjëshme të vendit për ta luftuar atë.
Partitë opozitare dhe organizatat e tjera kanë deklaruar se po protestonin kundër planeve për rritjen e kontributeve për sigurime sociale dhe taksave mbi dividendën për të financuar shpenzime më të larta shtetërore.









