Foto: Komuna e Tuzit
Komuna e Tuzit, në bashkëpunim me SHPK „Komunale“, organizon një aksion të madh njëditor pastrimi me moton „Bëhu ndryshimi për zero mbeturina – Tuzi më i pastër për të gjithë ne“, i cili do të mbahet të premten, më 12 dhjetor 2025, nga ora 08:30 deri në 11:00.
Ky aksion është pjesë e projektit TO0WASTE, në kuadër të programit INTERREG IPA Kroaci – Bosnje e Hercegovina – Mali i Zi, që ka për qëllim rritjen e vetëdijes për rëndësinë e menaxhimit të duhur të mbeturinave, ndarjes së tyre dhe ruajtjes së mjedisit.
Një nga objektivat kryesore të kësaj iniciative është krijimi i një mjedisi më të shëndetshëm dhe më të bukur për të gjithë qytetarët, përmes përfshirjes aktive të institucioneve lokale, ndërmarrjeve dhe institucioneve arsimore.
Në aksion do të marrin pjesë kolektive të ndryshme: Komuna e Tuzit, SHPK „Komunale“, SHPK „Ujësjellësi dhe kanalizimi“, SHPK „Tregu“, Organizata Turistike, Shkolla fillore “Mahmut Lekiq” me paralelet e shpërndara: Milesh, Sukruq dhe Vuksanlekaj, Shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” – Triesh, Shkolla fillore “29 nëntori” – Dinoshë, Shkolla fillore “Bashkimi” – Skorraq, Shkolla e mesme e përzier “25 maj”, Medreseja “Mehmed Fatih”, si dhe Qendra Kulturore Informative “Malësia”.
Çdo grup do të pastrojë lokacionin pranë institucionit të tij, ndërsa puna në terren do të koordinohet nga udhëheqësit e grupeve, të cilët do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me organizatorët përmes një grupi të veçantë në Viber. Materialet për pastrim, doreza dhe qese, do të shpërndahen një ditë më parë, të enjten, më 11 dhjetor 2025. Aksioni ka karakter simbolik dhe edukativ, pasi të gjitha mbeturinat e mbledhura do të ndahen për riciklim. Këto aktivitete shënojnë gjithashtu fillimin e projektit pilot për ndarjen e mbeturinave në pragun e shtëpisë, të cilin SHPK „Komunale“ Tuz do ta nisë në tremujorin e parë të vitit 2026, si dhe prezantimin e masave të reja për parandalimin dhe largimin e deponive të egra.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që të mbështesin këtë iniciativë dhe të kontribuojnë në krijimin e një komuniteti më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të bukur. Vetëm me veprim të përbashkët mund të jemi ndryshimi që çon drejt zero mbeturinave,” tha kryetari i Komunës Tuzi, Lindon Gjelaj.










