Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në këtë përvjetor jubile të Akademisë, kreu i shtetit nderoi studiuesit dhe akademikët shqiptarë, ata që nuk janë më mes nesh, si dhe ata që, me sakrifica, kanë ruajtur idealin dhe qëndresën për t’i hapur rrugë dijes.
“Pas shumë dekadash përpjekjesh dhe sakrificash, dhe falë ndihmës së çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve evropianë, shqiptarët sot jetojnë një moment të paprecedent: kemi dy shtete shqiptare dhe dy akademi shkencore që i shërbejnë kombit. Është hera e parë në historinë tonë që dija shqiptare mund të zhvillohet pa pengesa, në liri dhe në bashkëpunim. Kjo na jep jo vetëm siguri, por edhe fuqi për të ecur përpara dhe për t’u ngritur si komb përmes dijes, krijimtarisë dhe shpirtit. E kaluara na ka mësuar vlerën e dijes, ndërsa e ardhmja na kërkon ta shndërrojmë këtë dije në forcë zhvillimi për të gjithë shoqërinë.”
Begaj vlerësoi arritjet e Akademisë së Kosovës, ndërsa më pas zhvilloi një takim të veçantë me presidenten Vjosa Osmani.
Të dy krerët e shteteve rikonfirmuan angazhimin për bashkëpunimin e pandalshëm Shqipëri-Kosovë, duke theksuar se së bashku mund të nxisin më shumë projekte zhvillimore.









