DELEGACIONI I BE-së: PRETENDIMET SE KOLEKTORI NË BOTUN PARAQET RREZIK PËR SHËNDETIN JANË TË PAVËRTETA

Foto: Ilustrim

Pretendimet se impianti për pastrimin e ujërave të zeza në Botun përbën kërcënim për shëndetin publik ose se bazohet në teknologji të vjetëruar janë krejtësisht të pabaza, njoftoi Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Malin e Zi.

Ata thanë se projekti parashikon një impiant modern dhe të sigurt, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së.

“Mijëra impianta të tilla funksionojnë me sukses në të gjithë Bashkimin Evropian dhe jashtë tij, duke përmirësuar mbrojtjen e mjedisit dhe duke ruajtur shëndetin e komunitetit. Kontribuesit e BE-së kanë siguruar 33 milionë euro fonde pa kthim për këtë projekt, duke ndihmuar Malin e Zi të përmbushë detyrimet e veta në kuadër të Kapitullit 27 të negociatave, ndërkohë që mbrohet shëndeti i qytetarëve dhe mjedisi. Përkundrazi, impianti nuk përbën ndotje; ai ofron një zgjidhje thelbësore për problemin shumëvjeçar të ujërave të papastra për rreth 150,000 qytetarë, të cilat ndotin lumin Moraçë, Luginën e Zetës, zonën e Liqenit të Shkodrës dhe detin Adriatik,” thuhet në njoftim.

Nga Delegacioni apeluan tek të gjithë aktorët, përfshirë autoritetet lokale dhe funksionarët publikë, që të shmangin përhapjen e pretendimeve të pasakta lidhur me projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Podgoricë, i financuar nga BE.

“Pretendimet se ky impiant paraqet rrezik për shëndetin publik ose se bazohet në teknologji të vjetëruar janë krejtësisht të pabaza. Projekti parashikon një impiant modern dhe të sigurt, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së. Mijëra impianta të tilla funksionojnë me sukses në të gjithë Bashkimin Evropian dhe jashtë tij, duke përmirësuar mbrojtjen e mjedisit dhe duke ruajtur shëndetin e komunitetit,” thuhet në njoftim.

Ata theksuan se kërcënimin real ekologjik në komunën e Zetës vazhdon të jetë pishina e baltës së kuqe, dhe se mbështesin plotësisht kërkesat e qytetarëve për zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi. Gjithashtu, ata kanë bërë thirrje tek autoritetet kompetente që t’i japin prioritet një zgjidhjeje të shpejtë dhe të qëndrueshme për këtë problem të madh ekologjik.

SHARE