KËSHILLI I BE-së E VENDOS KOSOVËN NË LISTËN E VENDEVE TË SIGURTA TË ORIGJINËS

Këshilli i Bashkimit Evropian e ka përfshirë zyrtarisht Kosovën në listën e vendeve të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Vendimi u bë i ditur të premten, pas miratimit të qëndrimit të Këshillit për dy ligje të reja të BE-së që lidhen drejtpërdrejt me politikat e azilit. Në të njëjtën listë janë përfshirë edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

Sipas komunikatës së Këshillit Evropian, legjislacioni i ri synon krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit për personat që nuk kanë të drejtë të marrin mbrojtje brenda BE-së.

Sipas rregullave të reja, shtetet anëtare do të mund të refuzojnë një kërkesë për azil si të papranueshme në tre raste: kur ekziston një lidhje midis aplikuesit dhe vendit të tretë (tani jo më kriter i detyrueshëm), kur aplikuesi ka kaluar tranzit përmes vendit të tretë, kur ekziston një marrëveshje me një vend të tretë të sigurt për shqyrtimin e kërkesës për azil jashtë BE-së.

Koncepti i “vendit të sigurt të origjinës” u lejon shteteve anëtare të përdorin procedura të përshpejtuara, përfshirë edhe ato në pikat kufitare dhe në zonat e tranzitit. Një vend vlerësohet i sigurt vetëm nëse përmbush standardet e larta të sigurisë dhe garanton të drejtat themelore të qytetarëve.

Për vendet kandidate për anëtarësim në BE, statusi i vendit të sigurt mund të pezullohet në rast të konfliktit të armatosur, vendosjes së masave kufizuese ndaj të drejtave të njeriut, apo rritjes së konsiderueshme të përqindjes së vendimeve pozitive për azil.

Komisioni Evropian do të monitorojë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe, nëse ka bazë të mjaftueshme, mund të pezullojë statusin e sigurisë për të gjithë vendin ose për rajone të caktuara.

Sipas Këshillit, çdo vit dhjetëra mijëra njerëz mbërrijnë në Evropë dhe kërkojnë azil edhe pse largohen nga vende të sigurta ku zakonisht nuk ka rrezik përndjekjeje.

SHARE