Foto: Ilustrim
Draft-dokumenti i ri i Këshillit të Bashkimit Evropian, i përgatitur në bazë të raportit vjetor të Komisionit Evropian për zgjerimin, konfirmon se BE mbetet serioze në synimin e saj për të hapur dyert për anëtarë të rinj deri në fund të mandatit aktual, në vitin 2029.
Raporti vlerëson progresin e 10 vendeve kandidate, përfshirë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Moldavinë, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Turqinë.
Sipas dokumentit, Mali i Zi është vlerësuar pozitivisht për progresin e bërë në rrugën e integrimit evropian, me të hapura të gjitha 33 kapitujt dhe 12 prej tyre të mbyllura përkohësisht.
Megjithatë, vendit i bëhet thirrje që të intensifikojë përmbushjen e kritereve përfundimtare, sidomos në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit – kapitujt 23 dhe 24.
Në theks të veçantë përmendet nevoja për: përmirësimin e funksionimit të drejtësisë,forcimin e lirisë së shprehjes dhe të mediave,luftimin më efikas të korrupsionit dhe krimit të organizuar,reformimin e administratës publike.
Dokumenti evidenton se numri i aktgjykimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë mbetet i ulët dhe kërkon rezultate më të dukshme në hetime dhe ndjekje penale.
Gjithashtu vlerësohet progresi në politikat e azilit dhe menaxhimin e migracionit, por kërkohet harmonizim i plotë me politikat e vizave të BE-së.
Në fushën ekonomike, BE nxit Malin e Zi të zbatojë reformat, të ulë borxhin publik dhe të forcojë menaxhimin financiar dhe transparencën.
Dokumenti e pozicionon Malin e Zi si vendin më të avancuar në procesin e anëtarësimit, por thekson se progresi i mëtejshëm varet nga reformat thelbësore në drejtësi dhe sundimin e ligjit.








