PROTESTA GJIGANDE NË BULLGARI, NJERËZIT MBUSHIN RRUGËT: BOLL KORRUPSIONIT

Bullgarët kanë mbushur rrugët e kryeqytetit Sofie dhe të shumë qyteteve të tjera, në ato që mediat po i përshkruajnë si protestat më të mëdha në vend që nga vitet ’90.

Sheshi i Pavarësisë u mbush me njerëz, ndërsa partitë opozitare u mblodhën për të diskutuar hapat e ardhshëm, duke ekzaminuar mundësinë e kërkimit të dorëheqjes së Qeverisë dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Shkëndijën e protestave e nxiti projektbuxheti që parashikonte rritjen e kontributeve individuale për pensionet dhe programet e sigurimeve shoqërore.

Ndryshimet në buxhet – të kombinuara me rritjet e pagave për disa punonjës shtetërorë, përfshirë forcat e rendit – shkaktuan shpërthimin e zemërimit të akumuluar prej kohësh ndaj korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.

Protestuesit ankohen se pagesat për sigurimet shoqërore dhe taksat nuk menaxhohen me transparencë.

Organizata ndërkombëtare Transparency International e rendit Bullgarinë si vendin e dytë më të korruptuar në BE, pas Hungarisë.

Bullgaria është gjithashtu vendi më i varfër i Bashkimit Evropian, sipas Zyrës Evropiane për Statistikë, dhe një nga anëtarët më të paqëndrueshëm politikisht të bllokut.

SHARE