Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur “parimet thelbësore” të Evropës për çdo marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.
Ajo theksoi se siguria e Ukrainës është njëkohësisht edhe siguria e Evropës dhe se paqja duhet të jetë “e drejtë dhe e qëndrueshme”.
Sipas saj, marrëveshja nuk duhet të lërë Ukrainën të pambrojtur, nuk duhet të kufizojë forcat e saj të armatosura dhe duhet të përfshijë garanci të forta, afatgjata dhe të besueshme sigurie. Ajo theksoi gjithashtu se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe se e ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian, raporton DW.
Von der Leyen nënvizoi se tatimpaguesit evropianë nuk mund ta mbajnë të vetëm barrën financiare dhe përsëriti parimin: “Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën, asgjë për Evropën pa Evropën, asgjë për NATO-n pa NATO-n.” Po ashtu, kërkoi kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
Ajo shtoi se përpjekjet për paqe po shënojnë përparim pas nisjes së punës mbi një tekst konkret, pas bisedimeve të fundit në Gjenevë mes SHBA-së, BE-së dhe Ukrainës.








