Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, mori pjesë në Forumin Ekonomik të XXII të Vjenës, i cili këtë vit mblodhi vendet e rajonit nën moton: “Ekonomia takon politikën: fuqizimi i zërit evropian”.
Në forum morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të Forumit Ekonomik të Vjenës, institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe liderë të biznesit nga vendet anëtare të Forumit, Evropa dhe bota.
Zëvendëskryeministri mori pjesë në sesionin e tretë Alfa, me temën: “Fuqizimi i zërit evropian nga Adriatiku deri në Detin e Zi dhe më gjerë”.
Në fjalën e tij, Gjeloshaj theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe bashkëpunimit rajonal, i cili nxit dialogun, ndërton besimin dhe ndihmon në kapërcimin e dallimeve.
“Interesat e përbashkëta duhet të jenë më të forta se dallimet, ndërsa sfidat kërkojnë zgjidhje të përbashkëta. Pikërisht në frymën e solidaritetit ndërtohen vlerat evropiane”, tha Gjeloshaj.
Gjithashtu, ai nënvizoi se Mali i Zi synon që deri në vitin 2028 të jetë plotësisht i gatshëm për anëtarësim të plotë në BE.
Ai shtoi se suksesi në këtë proces do të jetë një sinjal pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor, si dhe një konfirmim frymëzues i idesë së një Evrope të bashkuar.
Në fund, zëvendëskryeministri përmbylli duke thënë se integrimet evropiane për Malin e Zi nuk janë qëllim në vetvete, por një mjet për ndërtimin e një ekonomie moderne, konkurruese dhe të qëndrueshme, e aftë të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në tregun evropian.










