DUKAJ: PO KRIJOJMË NJË SISTEM QË SHPËRBLEN DIJEN, INTEGRITETIN DHE REZULTATET

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, mori pjesë në ngjarjen “Partneriteti për reforma: Dialogu ministror Ballkani Perëndimor – Itali” në Romë, dialog politik ministror i Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga ReSPA dhe Ministria Italiane për Administratën Publike.

“Kam kënaqësinë që në kuadër të këtij dialogu kemi mundësinë të diskutojmë hapur për çështje që janë thelbësore për vendet tona: për reformën e administratës publike, modernizimin e institucioneve dhe krijimin e lidhjeve më të forta të bashkëpunimit në rajon dhe me partnerët tanë italianë”, tha Dukaj.

Ai theksoi se reforma e administratës publike nuk është vetëm çështje teknike, por edhe çështje besimi, besimit të qytetarëve te institucionet, besimit të partnerëve në aftësinë e shteteve për të ofruar rezultate, si dhe besimit ndërmjet vendeve të rajonit se së bashku mund të ndërtohen administrata efikase, transparente dhe të orientuara drejt qytetarëve.

Në Mal të Zi, vitet e fundit punohet në një program gjithëpërfshirës të transformimit digjital dhe modernizimit të administratës, theksoi Dukaj, duke shtuar: “Qëllimi ynë është i qartë – një administratë e shpejtë, e qasshme dhe e përgjegjshme”.

“Po zbatojmë zgjidhje që thjeshtojnë procedurat, ulin barrën administrative dhe mundësojnë që qytetarët dhe bizneset të komunikojnë me shtetin përmes shërbimeve të unifikuara digjitale. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se teknologjia nuk mjafton. Kërkohet një kulturë përgjegjësie dhe profesionalizmi në shërbimin publik, forcim i vazhdueshëm i kapaciteteve të nëpunësve, si dhe krijimi i një sistemi që shpërblen dijen, integritetin dhe rezultatet”, u shpreh Dukaj.

“Pritshmëritë tona nga ky dialog janë shumë konkrete, forcimi i hapësirës për bashkëpunim bilateral dhe rajonal, veçanërisht në fushat që i kemi identifikuar si kyçe edhe përmes marrëveshjes së nënshkruar në janar të këtij viti mes institucioneve përkatëse të Malit të Zi dhe Italisë: shkëmbimi i njohurive dhe përvojave profesionale në fushën e reformës së administratës publike dhe sistemit të nëpunësve, rritja e efikasitetit të vetëqeverisjeve lokale, përmirësimi i mekanizmave të qeverisjes së hapur dhe bashkëpunimi në fushat e transformimit digjital dhe sigurisë kibernetike”, theksoi ministri.

Ai shtoi se përmes punës së përbashkët mund të krijohet një platformë rajonale bashkëpunimi, në të cilën Italia do të jetë partner dhe mentor kyç në procesin e modernizimit të administratave tona.

“Mali i Zi mbetet plotësisht i përkushtuar proceseve reformuese dhe vlerave evropiane. Qëllimi ynë është krijimi i një administrate moderne, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e aftë të mbështesë rritjen ekonomike, investimet dhe kohezionin shoqëror”, tha Dukaj.

SHARE