SPAJIQ: MALI I ZI DO T’I PËRFUNDOJË OBLIGIMET DERI NË FUND TË VITIT TË ARDHSHËM

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në Forumin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, që u mbajt në Bruksel, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se vendi do të përfundojë të gjitha obligimet në procesin negociues deri në fund të vitit të ardhshëm.

Ai theksoi se reformat nuk do të komprometohen dhe se Mali i Zi po ecën me vendosmëri drejt mbylljes së të gjitha kapitujve negociues.

Spajiq theksoi se tani është Bashkimi Evropian ai që duhet të tregojë lidership politik dhe të konfirmojë besueshmërinë e politikës së zgjerimit, veçanërisht në një periudhë sfidash gjeopolitike.

Ai shtoi se dyert e BE-së duhet të mbeten të hapura jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë vendet kandidate, duke e quajtur këtë politikë shtyllë të fuqizimit të vetë Unionit.

Gjatë panelit të hapjes, ku morën pjesë edhe komisionerë të BE-së dhe kryeministri i Moldavisë, Spajiq theksoi se Mali i Zi nuk kërkon as rrugë të shkurtra, as arsyetime, por synon të jetë lider i procesit të integrimit.

Ai paralajmëroi se në buxhetin e vitit 2026 shteti do të rrisë investimet në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se siguria është një investim në të ardhmen.

Kryeministri u ndal edhe te ekonomia, duke theksuar se qeveria synon të forcojë strukturën ekonomike të vendit, në mënyrë që Mali i Zi të jetë më i qëndrueshëm ndaj sfidave të jashtme dhe më konkurrues në tregun evropian.

Forumi për zgjerimin, i iniciuar nga Komisioni Evropian, ka për qëllim ta shndërrojë procesin e anëtarësimit në një projekt politik, shoqëror dhe gjeneracional, duke e afruar atë më shumë me qytetarët e vendeve kandidate.

SHARE