Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, duke folur në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, vlerësoi ritmin e ri që ka marrë procesi i zgjerimit gjatë muajve të fundit dhe rolin vendimtar të komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
“Zgjerimi funksionon. Sa herë që BE ka ftuar anëtarë të rinj në klubin e saj, përfitimet kanë tejkaluar frikën. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se gjërat do të jenë ndryshe tani. Demokracia po tërhiqet, demagogjia po përparon, të drejtat e individit janë nën sulm. Jo vetëm që Europa është më e cenueshme, por duket gjithashtu si një pre e preferuar për agresorët,” tha Rama.
“Këto muaj, komisionerja Marta Kos e ka mbushur procesin me lëvizje dhe rezultate të prekshme. Deri vonë besoja se Brukseli ishte varrosur përfundimisht dhe nuk kishte më shans të ringjallej,” shtoi ai, duke theksuar se tani procesi ka gjeneruar “debat kaq konstruktiv dhe oksigjen të pastër në politikën europiane sa nuk mbaj mend kur ka ndodhur herën e fundit”.
Kryeministri shqiptar e përshkroi rrugën europiane të Shqipërisë si të gjatë dhe shpesh të padrejtë.
“Për Shqipërinë, ky rrugëtim nuk ka qenë i drejtë dhe i mbushur me duartrokitje. Ka qenë një udhë e gjatë, shpesh e stigmatizuar dhe e shoqëruar me stereotipe të amplifikuara nga mediat perëndimore,” tha ai.
Megjithatë, Rama nuk i kurseu kritikat ndaj BE-së, duke thënë se kjo e fundit nuk i ka mbajtur premtimet e saj, por shtoi se “për ne kjo u shndërrua në një lloj bekimi”.
“Vazhduam reformat sepse i bënim për vendin tonë dhe jo për Brukselin. Sot, BE mbetet burimi ynë kryesor i njohurive, dhe ne po punojmë çdo ditë që të jemi plotësisht gati kur të vijë momenti i duhur për anëtarësim,” theksoi kryeministri shqiptar.









