KËSHILLI I SIGURIMIT I OKB-së E MIRATON REZOLUTËN PËR PLANIN E TRUMPIT PËR GAZËN

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën në orët e vona një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila e mbështet planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Rezoluta gjithashtu autorizon një forcë ndërkombëtare për stabilizim në enklavën palestineze.

Teksti i rezolutës thotë se shtetet anëtare mund të marrin pjesë në Bordin e Paqes të kryesuar nga Trumpi, i konceptuar si një autoritet tranzitor që do ta mbikëqyrte rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Gazës.

Ai gjithashtu autorizon forcën ndërkombëtare të stabilizimit, e cila do të siguronte procesin e çmilitarizimit të Gazës, përfshirë shkatërrimin e armëve dhe infrastrukturës ushtarake.

Hamas, në një komunikatë, e përsëriti se nuk do të çarmatoset dhe argumentoi se lufta e tij kundër Izraelit është qëndresë legjitime.

“Rezoluta vendos një mekanizëm të kujdestarisë ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet tona e kundërshtojnë”, tha Hamas në komunikatën e lëshuar pas miratimit të rezolutës.

Mike Waltz, ambasadori amerikan në OKB, tha se rezoluta, e cila përfshin planin 20-pikësh të Trumpit si aneks, “hap një rrugë të mundshme drejt vetëvendosjes për palestinezët … ku në vend të raketave do të ketë degë të ullirit dhe ku ekziston mundësia për t’u pajtuar për një horizont politik”.

Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, e kishte lënë të hapur më herët mundësinë e kundërshtimit, por u përmbajt nga votimi, duke lejuar që rezoluta të kalojë.

Ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në OKB, që gjithashtu u përmbajtën, u ankuan se rezoluta nuk i jep OKB-së rol të qartë në të ardhmen e Gazës.

“Në thelb, këshilli po i jep bekimin e tij një nisme amerikane bazuar në premtimet e Uashingtonit, duke i dhënë kontroll të plotë mbi Rripin e Gazës Bordit të Paqes dhe ISF-së (forcës ndërkombëtare të stabilizimit), modalitetet e të cilave nuk i dimë ende”, tha ambasadori rus Vasily Nebenzya pas votimit.

Autoriteti Palestinez e përshëndeti rezolutën dhe tha se është i gatshëm të marrë pjesë në zbatimin e saj.

Diplomatët thanë se mbështetja e autoritetit për rezolutën javën e kaluar ishte vendimtare për të parandaluar veton ruse.

Trump e festoi votimin si “një moment me përmasa vërtet historike” në një postim në rrjetet sociale.

“Anëtarët e Bordit dhe shumë njoftime të tjera emocionuese do të bëhen publike në javët në vijim”, shkroi ai.

SHARE