Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Vadeful, gjatë vizitës së tij të parë në rajon, deklaroi në Podgoricë se Gjermania dëshiron që Mali i Zi të bëhet një histori e suksesshme e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai u takua me kryeministrin Millojko Spajiq, i cili theksoi se Mali i Zi po dëshmon përkushtim të vazhdueshëm ndaj integrimit europian përmes reformave të matshme dhe ritmit të pandërprerë të ndryshimeve.
Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e pavarësisë së institucioneve, luftës kundër krimit të organizuar dhe ruajtjes së dinamikës reformuese. Vadeful siguroi se mbështetja gjermane për integrimin evropian të Malit të Zi mbetet e pakushtëzuar.
Po ashtu u theksua se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira, duke krijuar bazë të fortë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë ardhjen e kompanisë Lidl dhe pritjen e investimeve të reja gjermane. Spajiq përmendi edhe agjendën ambicioze të qeverisë, ku Mali i Zi do të kryesojë Procesin e Berlinit, Fondin për Ballkanin Perëndimor dhe do të jetë nikoqir i Samitit BE–BP në vitin e 20-vjetorit të pavarësisë.
Në fund, ministri Vadeful është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke theksuar se partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve do të thellohet edhe më tej në të gjitha fushat.










