Shqipëria ka hapur bisedimet për kapitujt e përfshirë në grupkapitullin e fundit për negociatat e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Në Bruksel është mbajtur konferenca e shtatë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, ndërkohë pas saj u mbajt konferenca për mediat e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos dhe ministres daneze të Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre, vendi i së cilës mban presidencën e radhës të BE-së.
Kryeministri Rama u shpreh se sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë. Ai shtoi se do bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, me të njëjtën disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe për të dhënë rezultate.
“Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike apo vetëm një pikëpamje politike. Përfaqësojmë këtu një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE-në dhe anëtarësimin në BE”, tha Rama.
Duke theksuar se më shumë se 90 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështetin procesin e integrimit evropian, Rama tha: “E vlerësojmë shumë dhe do të bëjmë gjithçka që të jemi përherë aty ku duhet qenë, bazuar në një plan për të përfunduar këtë fazë të parë, duke përmbyllur bisedimet e anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe të hymë më pas në fazën e mbështetjes politike të anëtarësimit të plotë”.
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi se sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE-në.
Ajo u shpreh se janë të përkushtuar për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE.
“Suksesi i Shqipërisë është rezultat i punës së autoriteteve shqiptare për zbatimin e reformave të rëndësishme të BE-së, është rezultati i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit. Ju jeni frymëzim për shumë në Ballkanin Perëndimor”, tha Kos, duke iu drejtuar kryeministrit Rama.
Ajo tha hapja e të gjithë grupkapitujve është një sukses i jashtëzakonshëm, duke shtuar se mbyllja e tyre është çmimi real. Sipas saj ky sukses nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e palëkundur të Shqipërisë.
Ministrja daneze Bjerre u shpreh se Shqipëria ka bërë një përpjekje të fortë për reformat e harmonizimit me BE-në. “Negociatat e Shqipërisë po vazhdojnë me një hap të qëndrueshëm. Brenda një viti janë hapur të gjithë grupkapitujt dhe kjo është një shpejtësi rekord. Ky gur kilometrik shërben si njohje e punës së madhe që ka bërë Shqipëria drejt së ardhmes së saj evropiane”, tha Bjerre.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014. Konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grupkapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024. Në prill 2025 u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare, në maj u mbajt konferenca e pestë dhe në shtator të këtij viti u mbajt konferenca e gjashtë ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Shqipëria ka hapur sot bisedimet për 5 kapitujt e përfshirë në grupkapitullin 5 “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”.
Shqipëria synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.









