PRESIDENTJA OSMANI: NUK KA SHKELJE, PROCESI I FORMIMIT TË QEVERISË NË DUART E DEPUTETËVE

Pas akuzave nga opozita se po vonon procesin për zgjedhje të reja, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur optimiste se seanca ku do të votohet për mandatarin e dytë për kryeministër do të thirret para përfundimit të afatit më 19 nëntor.

Osmani tha se nuk mund të paragjykojë rezultatin e seancës ku do të hidhet në votim Glauk Konjufca si mandatar i dytë nga Lëvizja Vetëvendosje për të formuar Qeverinë e ardhshme, por theksoi se rëndësi ka që seanca mund të mbahet brenda afatit kushtetues. Pas kësaj, procesi mbetet në duart e deputetëve dhe të partive politike.

“Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka asnjë shkelje”, tha presidentja.

Osmani ka ritheksuar se do të vlerësohet nëse Konjufca ka gjasa të jetë mandatar i dytë. Ajo ka shtuar se kandidati për kryeministër, Konjufca, është vlerësuar nga ana e saj si i aftë për këtë pozicion.

Në lidhje me akuzat e opozitës se ajo është bërë palë me Albin Kurtin, Osmani nënvizon se ka respektuar vetëm Kushtetutën dhe se për vonesat dhe bllokimet janë përgjegjës të tjerët, të cilët kanë shkaktuar dhe krijuar shtyrje prej 9 muajsh.

SHARE