Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbajti një takim koordinues në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të masave për përballimin e situatës që pritet të krijohet nga moti i keq. “Parashikohet që situata të përkeqësohet sonte në orët e natës, duke nisur nga ora 1 e mëngjesit, fillimisht në veri dhe më pas duke u përhapur në verilindje. KESH ka analizuar situatën dhe, që nga 11 nëntori, ka ulur nivelet në basenet e Komanit dhe Vaut të Dejës për të menaxhuar prurjet e përrenjve. Parashikohen reshje intensive për pothuajse 48 orë. Në pjesën veriore dhe verilindore pritet intensitet mbi 30 mm, ndërsa në jug dhe juglindje reshjet do të shtohen pas datës 19. Masat e nevojshme janë marrë për fushën e Shkodrës, duke mbledhur ujin pa hapur basenet, ndërsa në Himarë, Sarandë, Fier dhe Vlorë intensiteti pritet të jetë më i ulët”, tha Balluku. Ministri i Mbrojtjes, Bujqësisë dhe Emergjencave Civile njoftoi masat e marra për gatishmërinë e shërbimeve ndaj qytetarëve: “Pjesa veriore, kryesisht basenet e Komanit dhe Vaut të Dejës, do të ketë reshje mesatare dhe të forta, që do të ndikojnë në pjesën e poshtme të Shkodrës dhe Lezhës, ku derdhen lumenjtë kryesorë si Buna. Në zbatim të planit kombëtar të emergjencave civile, janë rifreskuar planet e emergjencave dhe janë aktivizuar kapacitetet e nevojshme. Sot, të gjitha bashkitë dhe prefekturat janë mobilizuar totalisht. Më 18 nëntor parashikohet intensifikim i reshjeve në të gjithë territorin, me intensitet më të lartë në Gjirokastër, duke ngritur nivelin e Vjosës. Forcat e armatosura dhe Policia e Shtetit janë në gatishmëri.” Balluku theksoi gjithashtu se është bërë shpërndarja e mjeteve dhe aseteve të gatishmërisë së lartë për të ndihmuar bashkitë, duke përfshirë bordet e kullimit dhe krijimin e pritave lumore për kontrollin e ujërave. Rezerve shtetërore janë vendosur në gatishmëri për çdo situatë emergjente. “Janë ndërmarrë masat për garantimin e funksionimit të rrjetit të kullimit, janë ngritur stafet e emergjencave dhe janë në dispozicion 8 ekskavatorë në zonën e Shkodrës dhe Lezhës dhe 16 në Fier, për ndërhyrje të nevojshme, në bashkëpunim me emergjencat civile”, tha Balluku. Moti i keq pritet të prekë vendin duke nisur nga mbrëmja e sotme, ndërsa emergjencat civile këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes veçanërisht në zonat me reshje intensive.









