Dy persona rezultojnë të zhdukur pas një rrëshqitjeje toke në Gorizia të Italisë, për shkak të shirave të rrëmbyer që goditën rajonin gjatë natës.
Një shtëpi u shkatërrua nga rrëshqitja.
Zjarrfikësit arritën të nxirrnin një person të gjallë nga rrënojat, por ende nuk ka informacion mbi fatin e një 35-vjeçari dhe të një gruaje të moshuar, të cilën ai kishte tentuar të ndihmonte.
Moti ekstrem ka shkaktuar gjithashtu përmbytje, dëme të mëdha dhe vështirësi në qarkullim në pjesë të tjera të Friuli Venezia Giulia, një ndër gjashtë zonat e shpallura në gatishmëri për shkak të stuhive, së bashku me Emilia Romagnan, Ligurian, Lombardinë, Toskanën dhe Umbrian.
Zona më e prekur ishte midis Palmanova-s dhe provincës së Gorizias, me dëmet më të mëdha të regjistruara në Cormons, ku vetëm gjatë gjashtë orëve ranë 152 milimetra shi. Shkencëtarët paralajmërojnë se kriza klimatike, e shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë, po e bën motin ekstrem më të shpeshtë dhe më intensiv, duke përfshirë valët e nxehtësisë, thatësirat, stuhitë e fuqishme dhe përmbytjet e papritura.
Edhe pse faktorë të ndryshëm ndikojnë në ndryshimet klimatike, nxitësi kryesor konsiderohet djegia e lëndëve fosile, si nafta, gazi dhe qymyri, shitja e të cilave gjeneron fitime të mëdha për gjigantët e energjisë në botë.









