Foto: Ilustrim
Në Mal të Zi po pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që do të përcaktojë nëse neni i ligjit për tregtinë, i cili e bën të dielën ditë pushimi në dyqane, do të shpallet antikushtetues. Ky proces ka zgjatur gjashtë vjet dhe palët e interesuara presin zgjidhje përfundimtare.
Qytetarët e Podgoricës, të pyetur në një anketë, shprehen qartë se e diela duhet të mbetet ditë pushimi. Ata vlerësojnë se gjashtë ditë janë të mjaftueshme për të bërë pazaret dhe se punonjësve nuk duhet t’u hiqet edhe ajo një ditë e vetme pushimi.
Ekonomisti Mirza Mulleshkoviq thekson se ligjet aktuale rregullojnë qartë të drejtën e punonjësve për pushim, pagesën e orëve shtesë dhe punën gjatë vikendeve e festave.
Ai thekson se partnerët socialë kanë arritur më herët një marrëveshje për të lejuar funksionimin e tregtisë gjatë sezonit turistik, për shkak të rëndësisë së kësaj industrie për ekonominë e vendit.
Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të formalizohet me një rregullim të qartë ligjor. Megjithëse respekton vendimin e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese, Mulleshkoviq vlerëson se ekonomia e Malit të Zi, sidomos gjatë sezonit, ka nevojë për funksionimin e dyqaneve edhe të dielave.
Ai shton se disa punëdhënës mund të hasin vështirësi nëse ndryshon rregulli, pasi janë përshtatur tashmë me sistemin e punës pa të dielën.
Unioni i Punëdhënësve ka rikujtuar iniciativën e tyre të paraqitur që në vitin 2019 dhe pret që Gjykata Kushtetuese ta shpallë ndalimin e punës të dielave si kufizim të pajustifikuar të lirisë së biznesit dhe parimeve të tregut të lirë.
Ndërkohë, sindikatat mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre se e diela duhet të mbetet ditë pushimi dhe kohë për familjen, duke këmbëngulur në rëndësinë sociale dhe njerëzore të këtij rregulli.
Në thelb, debati rrotullohet rreth balancës midis të drejtave të punëtorëve, kërkesave të sipërmarrësve dhe nevojave të ekonomisë, veçanërisht në sektorin e turizmit.











