Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social të Malit të Zi, Naida Nishiq, deklaroi në emisionin “Link” të Radios së Malit të Zi se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian do të sjellë rritje të standardit jetësor për qytetarët.
Ajo theksoi se me hyrjen në BE, Mali i Zi do të bëhet pjesë e rrjetit evropian të punësimit EURES, që do t’u mundësojë qytetarëve qasje në të gjitha vendet e lira të punës në Evropë, gjë që konsiderohet si përfitim i madh, pavarësisht se shteti do të synojë të mbajë qytetarët brenda vendit.
Nishiq vuri në dukje se edhe kartela evropiane e sigurimit shëndetësor do t’u mundësojë malazezëve trajtim mjekësor në të gjithë BE-në në të njëjtat kushte si qytetarët e vendeve anëtare.
Megjithëse pret që migracionet të shtohen me hapjen e tregut evropian të punës, ajo beson se edhe Mali i Zi do të bëhet më tërheqës për punëtorët nga rajoni, ndërsa migracionet do të kontrollohen dhe orientohen në mënyrë të rregullt.
Nishiq njoftoi gjithashtu se do të themelohet një Zyrë e vetme për vlerësimin e invaliditetit, e cila do ta lehtësojë shumë procedurën për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.
Ministrja po ashtu njoftoi se janë evidentuar keqpërdorime serioze të subvencioneve për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, të financuara nga Fondi për Rehabilitim Profesional.
Ajo tha se deri tani janë iniciuar 18 kallëzime penale ndaj personave përgjegjës në kompani ku janë zbuluar abuzime me këto subvencione.
Sipas saj, Fondi ka arritur gati 50 milionë euro shpenzime dhe është e domosdoshme që ndihma të shkojë vetëm tek ata që realisht e meritojnë.
Në lidhje me çështjen e rikthimit të së dielës si ditë pune, ministrja u shpreh kundër çdo forme “shfrytëzimi” të punëtorëve, por tha se vendimi duhet të kalojë përmes Gjykatës Kushtetuese, partnerëve socialë dhe më pas Parlamentit.
Ajo theksoi se dialogu mes sindikatave, punëdhënësve dhe Qeverisë do të çojë në një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
Në fund, Nishiq tha se në Ligjin e ri të Punës do të ketë risi të rëndësishme, si përcaktimi i pagës minimale përmes parametrave të qartë.
Ajo shtoi se harmonizimi i legjislacionit malazez me standardet evropiane do të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së jetës pas anëtarësimit në BE.











