Foto: Shutterstock
Në Ditën Botërore të Diabetit, ndërsa bota fokusohet tek mbështetja për personat me diabet në moshë të punës, pacientët adultë me diabet tip 1 në Mal të Zi vazhdojnë të përballen me mungesë të teknologjisë dhe shërbimeve që në shumë vende janë standard.
Sipas Institutit për Shëndetin Publik, numri i të sëmurëve nga diabeti është rritur 19% në një dekadë, duke arritur në gati 28 mijë pacientë në vitin 2023.
Fushata e Federatës Ndërkombëtare të Diabetit këtë vit thekson se shumica e të rriturve me diabet janë aktivë në tregun e punës dhe përballen çdo ditë me sfida në menaxhimin e sëmundjes për shkak të stigmatizimit, moskuptimit dhe kushteve jo të favorshme në punë.
Sipas Lejla Martinoviq, kryetare e OJQ “Ekipi Dijabetes– DOB”, situata në Mal të Zi është e ngjashme dhe pacientët përveç vështirësive të vetë sëmundjes, përballen edhe me mungesë të pajisjeve esenciale.
Ajo thekson se pacientët nuk kanë qasje në sensorë për monitorim të vazhdueshëm të glukozës, kanë mungesë të shiritave për ketone dhe shpesh edhe të gjilpërave për insulinë.
Nuk ofrohet mbështetje psikologjike apo nutricioniste nga sigurimi shëndetësor, dhe shumë pacientë nuk marrin mbështetjen e nevojshme as nga familja apo punëdhënësit.
Problemi kryesor sipas saj qëndron te rregullorja e FSHI-së, e cila kufizon qasjen në teknologjitë moderne vetëm për disa kategori pacientësh.
Martinoviq thekson se, ndonëse terapia farmaceutike në Mal të Zi është në nivel të mirë, mungesa e teknologjisë moderne është një pengesë e madhe.
Ajo gjithashtu vëren se ka mungesë të madhe të edukimit publik mbi diabetin e tipit 1, i cili shpesh ngatërrohet me tipin 2, edhe pse bëhet fjalë për dy sëmundje krejtësisht të ndryshme.
Ajo nënvizon rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes psikologjike, të cilat janë pjesë standarde e trajtimit në shumë vende të botës.
Përveç endokrinologut, pacientët me diabet duhet të kenë qasje të rregullt te nutricionisti, psikologu dhe mbështetja teknike.











