Në Konferencën Vjetore të Organizatës Botërore të Mbikëqyrësve të Sigurimeve, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërkombëtar përballë sfidave globale të ditëve të sotme.
Ai u ndal veçanërisht te ndikimet e ndryshimeve klimatike, kërcënimet kibernetike dhe luhatjet e tregjeve globale, të cilat, sipas tij, Prekin çdo vend dhe kërkojnë zgjidhje novatore dhe gjithëpërfshirëse.
Kryeministri foli edhe për panoramën aktuale të Shqipërisë në fushën e sigurimeve.
Ai theksoi se, pavarësisht përpjekjeve për një mbulim më të gjerë, shumë familje dhe biznese të vogla vazhdojnë të mbeten pa mbrojtjen e nevojshme.
Sipas tij, dëmet e shkaktuara nga katastrofa si përmbytjet, zjarret dhe tërmetet mund të fshijnë vite të tëra pune, duke i lënë qytetarët të pambrojtur dhe duke kufizuar mundësinë e tyre për të investuar në të ardhmen.
“Rruga përpara është e qartë; na duhet të zgjerojmë rrjetet tona të sigurisë për të përfshirë më shumë individë, sektorë dhe lloje rreziqesh, si dhe të sigurohemi që këto zgjidhje të jenë të përballueshme për të gjithë. Por natyrisht, edhe pse kjo rrugë duket e qartë, është shumë më e vështirë për t’u ndërtuar sesa për t’u thënë,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se evolucioni i vazhdueshëm digjital që po kalon vendi synon të krijojë tregje më efikase dhe më të aksesueshme, përfshirë sektorin e sigurimeve. Sipas tij, integrimi i sigurimeve në politikat publike – përmes lidhjes me rezistencën klimatike, bujqësinë, infrastrukturën dhe rrjetat e sigurisë sociale – do të përmirësojë ndjeshëm qasjen ndaj financimit të rrezikut nga katastrofat.
Kryeministri vuri në dukje se një strategji gjithëpërfshirëse, që bashkon sigurimet, fondet rezervë dhe buxhetimin, mund të ulë në mënyrë të konsiderueshme rreziqet fiskale që burojnë nga katastrofat natyrore.










