BE VENDOS TAKSË PËR PAKOT E VOGLA NGA JASHTË, HYN NË FUQI NË 2026-ën

Bashkimi Europian po kërkon të mbledhë të ardhura dhe në luftën e tarifave ndërkombëtare ka vendosur të godasë “pakot” e vogla të dërguara nga jashtë BE-së, kryesisht përmes platformave të e-commerce, me vlerë deri në 150 euro. Aktualisht, këto produkte përfitojnë nga një përjashtim nga doganat, por vendimi i ri i Ecofin, mbledhja e ministrave të Financave të BE-së, parashikon të përshpejtojë zbatimin e taksës nga 2028-a në vitin 2026.

Tarifa e re, që pritet të jetë rreth 2 euro për paketë, do të vendoset në samitin e ardhshëm ministror më 12 dhjetor. Vitin e kaluar, nga vendet jashtë BE-së kanë ardhur 4,6 miliardë pako të vogla, 91% nga Kina, dhe shumë prej tyre ishin të ndara qëllimisht në dërgesa më të vogla për të shmangur taksën. Masat synojnë të mbrojnë kompanitë europiane dhe të zvogëlojnë ndikimin ambiental të transportit të shpeshtë postar.

Ministri italian i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, duke përshëndetur vendimin, tha se kjo do të ndihmojë në mbrojtjen e tregut të brendshëm nga konkurrenca e pandershme. Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, shtoi se kjo është një sinjal i qartë që Europa merr seriozisht mbrojtjen e interesave të biznesit të saj.

Nga pikëpamja financiare, taksa mund të sjellë rreth 9 miliardë euro në vit për BE-në. Për Italinë, që merr mbi gjysmë miliardë paketa çdo vit, kjo nënkupton të ardhura shtesë rreth 1 miliard eurosh, të cilat mund të përdoren edhe për objektiva specifikë dhe potencialisht të inkorporohen në buxhetin e ardhshëm.

SHARE