DUKAJ: RAPORTI I KE-së, KONFIRMIM I DREJTIMIT TË DUHUR REFORMUES TË MINISTRISË SË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në Raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi për vitin 2025, është vlerësuar se vendi është mesatarisht i përgatitur dhe ka bërë përparim të caktuar në reformën e administratës publike.

Kjo, sipas ministrit të Administratës Publike, Marash Dukaj, tregon se përpjekjet e ministrisë dhe institucioneve të tjera kanë dhënë rezultate të dukshme.

Komisioni Evropian ka theksuar se është krijuar kuadër strategjik dhe ligjor gjithëpërfshirës për zbatimin e reformës së administratës publike dhe për menaxhimin e financave publike, ndërsa cilësia dhe efikasiteti i reformës janë në rritje.

Qeveria, me miratimin e Planeve të Reja të Veprimit për reformën e administratës publike dhe të financave publike, ka treguar përkushtim ndaj transparencës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit në sektorin publik.

Raporti vlerëson edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për nëpunësit shtetërorë dhe administrativë, që përforcon parimin e meritokracisë dhe profesionalizmit në administratë.

Është përshëndetur edhe procesi i optimizimit dhe forcimit të kapaciteteve administrative, që është i domosdoshëm për përafrimin me legjislacionin e BE-së gjatë procesit të negociatave.

Në raport thuhet se Mali i Zi është në nivel të mirë përgatitjeje në fushat e transformimit digjital dhe sigurisë kibernetike, duke shënuar përparim në përafrimin e legjislacionit kombëtar me rregullat e BE-së.

Në periudhën e ardhshme, fokusi duhet të jetë te harmonizimi me Direktivën NIS2 dhe krijimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike.

Komisioni ka theksuar edhe nevojën për punësim të stafit shtesë për të forcuar administratën në fushat e shërbimeve elektronike.

Në nivelin lokal, janë vlerësuar përpjekjet për decentralizim dhe përgatitjen e Ligjit të ri për vetëqeverisjen lokale.

Është lavdëruar fakti që komunat kanë rikthyer kompetencat në planifikimin hapësinor dhe që janë krijuar pika informative të BE-së nëpër komuna, të cilat ndihmojnë qytetarët të informohen për politikat dhe programet evropiane.

Sa i përket qasjes së lirë në informata, është konstatuar se qeveria ka miratuar Projektligjin për qasje të lirë në informata, i cili ndodhet në procedurë parlamentare.

Ky ligj forcon të drejtat e qytetarëve për transparencë, administratë efikase dhe mbrojtje gjyqësore efektive, duke ndihmuar në rritjen e besimit publik në institucione.

Ministri Dukaj theksoi se Ministria e Administratës Publike do të vazhdojë të punojë për ndërtimin e një administrate moderne, digjitale dhe të orientuar drejt qytetarit, plotësisht të harmonizuar me standardet dhe vlerat evropiane.

SHARE