Foto: Ilustrim
Qeveria e Malit të Zi ka ashpërsuar kushtet për rregullimin e qëndrimit të të huajve në vend. Sipas ndryshimeve të reja në Ligjin për të Huajt:
- Vlera minimale e pasurisë së paluajtshme mbi bazën e së cilës një i huaj mund të marrë leje qëndrimi të përkohshëm do të jetë 200.000 euro. Pronaret e tanishëm të pasurive që kanë qëndrim të rregulluar sipas kushteve të vjetra kanë një vit afat për t’u përshtatur me ligjin e ri.
- Të huajt që janë drejtorë ekzekutivë ose zotërojnë mbi 51% të kapitalit të një kompanie do të duhet të kenë të paktën tre të punësuar, prej të cilëve dy duhet të jenë shtetas malazezë të siguruar me orar të plotë pune. Afati për zbatimin e këtij rregulli është 180 ditë.
Po ashtu, është paralajmëruar një bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve shtetërore për kontrollin e hyrjes dhe qëndrimit të të huajve, si dhe për mbylljen e kompanive joaktive në pronësi të tyre.
Në bashkëpunim me autoritetet turke, do të kryhet një verifikim shtesë i të dhënave për 13.500 shtetas turq me leje qëndrimi në Mal të Zi, për të parandaluar abuzimet me kompani fiktive.
Këto masa janë pjesë e një pakete më të gjerë për forcimin e sigurisë kombëtare, disiplinës fiskale dhe kontrollit të qëndrimit të të huajve. Gjithashtu, regjimi i vizave do të ndryshohet – shtetasit e vendeve që nuk janë të harmonizuara me politikat e BE-së do të mund të qëndrojnë vetëm 30 ditë në vend, në vend të 90 ditëve sa kanë mundur deri tani.
Në Mal të Zi aktualisht operojnë 31.814 kompani në pronësi të të huajve, me të ardhura totale prej afro 199 milionë euro në vitin 2024.











