Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj ka deklaruar se pesë kapitujt e negociatave që aktualisht janë në proces në Bruksel duhet të mbyllen, sepse sipas tij Mali i Zi po jep maksimumin e vet.
Ai shtoi se edhe Komisioni Evropian e ka vlerësuar këtë përparim, gjë që shihet në raportin e këtij viti, të cilin e cilësoi si më të mirin deri tani.
Duke komentuar votimin në Kuvend lidhur me rritjen e shtesave për fëmijët, Camaj tha se problemi qëndron tek fakti se nisma ka ardhur nga opozita.
Ai vuri në dukje se partitë që sot janë në opozitë kanë qenë në pushtet deri para dy vitesh dhe kanë pasur mundësi ta zgjidhnin këtë çështje më herët.
“Sikur të ishte projekt i shumicës, besoj se do të kishte kaluar më lehtë. Megjithatë, mendoj se edhe kështu, çështja do të zgjidhet më vonë,” theksoi ai.
Camaj shtoi se bëhet fjalë për një çështje politike, por edhe shumë të rëndësishme për familjet dhe të rinjtë, pasi një rritje e shtesave mund të motivojë prindërit e rinj të kenë më shumë fëmijë.











