MILLATOVIQ: MIRJANA VUÇINIQ KA INTEGRITET DHE PËRVOJË PËR GJYKATËN KUSHTETUESE

Foto: Luka Zeković

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, zhvilloi konsultime me grupet parlamentare dhe deputetët që iu përgjigjën thirrjes së tij për dialog rreth zgjedhjes së Mirjana Vuçiniq si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë takimeve u theksua bindja e përbashkët se vendit i duhen njerëz me dije dhe integritet që mbrojnë institucionet.

Pas konsultimeve, u konstatua një mbështetje më e gjerë për kandidaturën e Mirjana Vuçiniq, e cila shihet si person që mund të bashkojë mbështetjen e forcave të ndryshme politike dhe të opinionit profesional, pa bërë kompromis me Kushtetutën.

Në njoftimin e Kabinetit të Presidentit thuhet se raporti i fundit i Komisionit Evropian ka theksuar shqetësimet serioze për vonesat në zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë cenuar pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve.

Presidenti Millatoviq vlerëson se zgjedhja e ardhshme e gjyqtarëve do të jetë një provë e pjekurisë politike dhe përkushtimit ndaj integrimeve evropiane.

Ai theksoi se biografia profesionale e Mirjana Vuçiniq dëshmon njohuri, integritet dhe përgjegjësi institucionale. Vuçiniq ka përvojë në Gjykatën Kushtetuese, në organe shtetërore dhe në avokaturë, si dhe ka marrë pjesë në projekte ndërkombëtare të reformës ligjore dhe forcimit të transparencës.

Në fund, në komunikatë thuhet se e ardhmja e Malit të Zi kërkon dije, integritet dhe besimin e qytetarëve në institucione, ndërsa zgjedhja e gjyqtarëve profesionistë dhe të pavarur do të jetë dëshmi e pjekurisë politike dhe e përkushtimit ndaj Kushtetutës.

SHARE