Senati amerikan ka avancuar projektligjin për hapjen e qeverisë amerikane, me shpresën të zgjidhet ngërçi 40 ditor që ka prekur pagat e shumë punëtorëve federalë, i ka vonuar ndihmat ushqimore dhe e ka penguar udhëtimin ajror.
Senatorët miratuan marrëveshjen që hap rrugën e zgjidhjes së mbylljes rekord. Votimi është një hap i parë procedural drejt miratimit të një kompromisi për të financuar qeverinë e cila ka mbetur pa financim që prej 1 tetorit.
Nismës ligjore do t`i duhet të kalojë disa pengesa të tjera – përfshirë një votim nga Dhoma e Përfaqësuesve – përpara se të kthehen punonjësit dhe shërbimet federale, por është shenja e parë serioze e përparimit pas 40 ditësh bllokimi.
Pasi dokumenti me ndryshime të miratohet sërish nga Dhoma e Përfaqësuesve, ai duhet t’i dërgohet presidentit amerikan, Donald Trump për ta firmosur, proces ky që mund të marrë disa ditë. Në marrëveshjen e arritur me disa demokratë, që janë ndarë nga partia për këtë çështje, republikanët janë pajtuar të votojnë në dhjetor për t’i vazhduar subvencionet për sigurimet shëndetësore për një kategori të shoqërisë. Këto subvencione, të cilat u ndihmojnë amerikanëve me të ardhura të ulëta për të paguar sigurim shëndetësor privat, skadojnë në fund të vitit, dhe kanë qenë në krye të betejës së demokratëve për financim të Qeverisë.
Nëse Qeveria amerikane do të mbetet e mbyllur për një periudhë më të gjatë, rritja ekonomike mund të marrë drejtim negativ në çerekun e katërt, sidomos nëse trafiku ajror nuk i kthehet normalitetit deri për Festën e Falënderimeve më 27 nëntor.










