TË RINJTË NGA LUGINA E PRESHEVËS VIZITOJNË MALËSINË DHE ULQININ

Foto: KKSH

Me iniciativë të përbashkët të Këshillave Kombëtare Shqiptare në Mal të Zi dhe në Serbi, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet tyre, u realizua një vizitë e të rinjve nga Lugina e Preshevës në trevat shqiptare të Malit të Zi.

Të rinjtë fillimisht vizituan selinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, ku u pritën nga kryetari i këtij institucioni, Faik Nika.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Nika shprehu kënaqësinë që nisma e bashkëpunimit ndërmjet dy këshillave po nis pikërisht me të rinjtë, të cilët përfaqësojnë të ardhmen e kombit shqiptar.

“Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të Këshillit, e shoh të domosdoshme zhvillimin e takimeve të përbashkëta mes të rinjve shqiptarë nga treva të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye kemi filluar këtë nismë, për të cilën shpresoj se do të ketë ogur të mirë dhe që shkëmbimi i vizitave të të rinjve të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne si shqiptarë shpesh kemi mungesë njohjeje mes nesh, prandaj duhet të krijojmë ura lidhëse ndërmjet rinisë dhe të njihemi më afër me proceset dhe sfidat që përjetojnë bashkëmoshatarët tanë në vendet ku jetojnë,” theksoi Nika.

Gjatë qëndrimit në Ulqin, të rinjtë kanë vizituar disa nga pikat më atraktive të qytetit të Ulqinit, ndërsa gjatë vizitës në Malësi, të rinjtë nga Lugina e Preshevës janë njohur me trashëgiminë kulturore dhe historike të kësaj treve.

Kronika aktuale lidhur me vizitën e tyre në Malësi do të transmetohet në ditët në vijim.

SHARE