SHUMICA PARLAMENTARE REFUZON PROPOZIMET E LQ URA PËR RRITJEN E SHTESAVE PËR FËMIJË DHE KOMPENSIMIN E PUNËTORËVE

Foto: RTNK

Në seancën e sotme të Kuvendit të Malit të Zi, nuk u pranua propozimi i Lëvizjes Qytetare URA për të zgjeruar rendin e ditës me dy pika: rritjen e shtesave për fëmijë dhe kompensimin financiar për ish-punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore që kanë falimentuar.

Lëvizja Qytetare URA propozoi një ligj për kompensimin e të gjithë punonjësve që kanë mbetur pa punë pas falimentimit të ndërmarrjeve shtetërore, duke parashikuar pagesë prej 12,000 euro për çdo punonjës ose për trashëgimtarët e tyre ligjorë.

Në të njëjtën kohë, Lëvizja Qytetare URA paraqiti ndryshime në ligjin për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, për dyfishimin e shtesave për fëmijë nga 30 në 60 euro për çdo fëmijë, dhe rritje për kategori të tjera përfituese (deri në 120 euro për fëmijët pa kujdes prindëror).

Kjo nismë erdhi pas një peticioni të nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë.

Sipas Lëvizjes Qytetare URA, kundër rritjes së shtesave për fëmijë votuan deputetët e Lëvizjes „Evropa Tani“, Demokratëve dhe të Partisë së Re Demokratike Serbe, ndërsa deputetët e Partisë Popullore Demokratike, Partisë Popullore Socialiste, Nikollë Camaj dhe opozita ishin pro.

Pavarësisht rezultatit të votimit, LQ URA theksoi se nuk do të heqë dorë nga kërkesa për rritjen e shtesave për fëmijë dhe kompensimin e punëtorëve, duke paralajmëruar se do t’i propozojë përsëri këto ligje në Kuvend derisa të miratohen.

SHARE