Shtatë persona kanë humbur jetën dhe të paktën 11 të tjerë janë plagosur pas rrëzimit të një avioni mallrash në Aeroportin Ndërkombëtar Louisville Muhammad Ali, mbrëmjen e së martës.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, konfirmoi numrin e viktimave, duke bërë të ditur se tre prej tyre dyshohet të kenë qenë pjesë e ekuipazhit të avionit.
“Kushdo që ka parë imazhet dhe videot e di sa e dhunshme ishte kjo përplasje,” deklaroi ai në një konferencë për shtyp, duke paralajmëruar se bilanci mund të rritet ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën.
Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi rreth orës 17:15 me orën lokale, kur fluturimi me destinacion Honolulu në Hawai doli nga pista gjatë ngritjes dhe u përplas me disa ndërtesa pranë aeroportit, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.
Avioni transportonte rreth 144,000 litra karburant, gjë që shkaktoi përhapjen e shpejtë të zjarreve. Flakët përfshinë të paktën dy biznese pranë, përfshirë një kompani riciklimi të naftës.
Shefi i zjarrfikësve të Louisville, Brian O’Neill, tha se zjarri është “pothuajse plotësisht nën kontroll”. Për pasojë, të gjitha fluturimet e nisjes nga aeroporti u anuluan gjatë mbrëmjes së së martës.









