Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendi i tij ka nevojë për ndihmë financiare nga Evropa për të vazhduar luftën kundër forcave ruse edhe për dy ose tre vite të tjera.
Kievi është mbështetur kryesisht në ndihmën ushtarake dhe financiare të aleatëve për të zmbrapsur ushtrinë e Moskës, e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“E theksova sërish këtë para të gjithë udhëheqësve evropianë. U thashë atyre se ne nuk do të luftojmë për dekada, por ju duhet të tregoni se jeni të gatshëm të siguroni mbështetje të qëndrueshme financiare për Ukrainën për një periudhë të caktuar kohore”, tha Zelensky të martën.
“Pikërisht për këtë arsye ata kanë këtë program në mendje — për 2 deri në 3 vjet,” shtoi ai, duke iu referuar planeve të Brukselit për të përdorur asetet e ngrira ruse në mbështetje të Kievit.
Javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian ngarkuan Komisionin Evropian të shqyrtojë opsionet për financimin e Ukrainës për dy vjet të tjerë, duke lënë të hapur mundësinë e një kredie të madhe që do të përdorte disa dhjetëra miliarda euro nga asetet shtetërore ruse të ngrira nga Brukseli.
“Nëse lufta përfundon brenda një muaji, do t’i përdorim këto para për rindërtim. Nëse nuk përfundon brenda një muaji, por pas një periudhe më të gjatë, atëherë do t’i përdorim për armë. Thjesht, nuk kemi zgjedhje tjetër,” theksoi Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas gjithashtu u bëri thirrje që presidenti amerikan, Donald Trump, të ushtrojë presion ndaj homologut të tij kinez, Xi Jinping, që të ndërpresë mbështetjen për Rusinë gjatë takimit që do të zhvillohet mes tyre më vonë këtë javë.









