MILLATOVIQ: NDRYSHIMET NUK NISIN NGA POLITIKA, POR NGA NJERËZIT QË NUK PRESIN POR VEPROJNË

Foto: Predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, hapi sot në Podgoricë forumin e katërt “Të rinjtë për të rinjtë”, duke theksuar se ndryshimet në shoqëri nuk vijnë nga lart, por nga veprimet konkrete dhe iniciativa e njerëzve që nuk presin, por veprojnë.

„Gjithçka në Mal të Zi ka një histori të komplikuar, përveç kësaj: të rinjtë për të rinjtë. Ju ndihmoni njëri-tjetrin, e shtyni vendin përpara kur të gjithë të tjerët lodhen dhe kjo është gjëja më e bukur që ka Mali i Zi sot: një brez që nuk pret,“ tha Millatoviq.

Forumi organizohet nga Rrjeti për Aktivizëm Rinor i Malit të Zi me mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë dhe ka mbledhur të rinj nga të gjitha pjesët e vendit.

Në një bisedë të drejtpërdrejtë me të rinjtë, presidenti theksoi rëndësinë e angazhimit personal, aktivizmit qytetar dhe përgjegjësisë.

„Ndryshimet fillojnë në momentin kur dikush thotë: Nuk do të pres. Unë do ta bëj. Fillojnë kur pastroni një lumë, regjistroni një video për një padrejtësi ose ndihmoni dikë pa pritur asgjë në këmbim. Aktivizmi nuk është ‘selfie’, është një mënyrë jetese,“ theksoi Millatoviq.

Duke folur për arsimin dhe vlerat evropiane, ai prezantoi edhe iniciativën e Akademisë së BE-së – një platformë që lidh të rinjtë, studentët dhe nëpunësit shtetërorë përmes debatit, të mësuarit dhe punës praktike.

„Evropa nuk është diku larg, ajo është këtu, në mendjet dhe duart tona. Akademia e BE-së nuk është një shkollë e mërzitshme për kapitujt e negociatave, por një hapësirë ku mësoni të debatoni dhe të ndryshoni gjërat nga brenda,“ tha Millatoviq, duke theksuar se Mali i Zi duhet të bëhet vend ku vlerësohet puna, e jo bindja.

Ai shtoi se nuk dëshiron të jetë lider që u flet të rinjve, por ai që i dëgjon ata. „Nëse shteti ndalon së dëgjuari të rinjtë, ai nuk ka të ardhme. Prandaj ekziston Këshilli i Iniciativave Rinore që idetë tuaja të bëhen politika reale, e jo vetëm tema për fjalime,“ përfundoi Millatoviq.

SHARE