Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në seancën e sotme të Kuvendit të Malit të Zi, deputetët diskutuan mbi disa ligje të rëndësishme, ndër të cilat edhe Raportin mbi Zbatimin e Ligjit për Tubimet Publike dhe Ngjarjet Publike për vitin 2023, si dhe Raportin mbi Gjendjen e Sigurisë në Trafikun Rrugor për vitet 2023-2024. Po ashtu, u trajtua edhe Raporti mbi Statusin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Qasjes në Informacion për vitin 2024.
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, njoftoi se gjatë periudhës së fundit është shënuar një rënie e dukshme e shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike.
Ai vuri në dukje se Ligji për Tubimet Publike dhe Ngjarjet Publike, i cili konsiderohet ndër më tolerantët në Evropë, është zbatuar me një qasje të balancuar dhe profesionale nga policia, duke ruajtur të drejtat e qytetarëve për tubim pa kufizime të padrejta.
“Ky ligj ka konfirmuar edhe një herë rëndësinë e lirisë së tubimit si një themel i shoqërive moderne dhe demokratike,” theksoi Sharanoviq.
Ministri shtoi se Projektligji për Sigurinë në Trafikun Rrugor pritet të miratohet në njërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë dhe më pas do t’i paraqitet Parlamentit, me shpresën që të marrë miratimin sa më shpejt.
Nga ana e deputetëve, Miodrag Llakoviq nga Lëvizja “Evropa Tani” vuri në dukje se rrugët e vendit janë të vjetruara dhe nuk përmbushin kriteret moderne të sigurisë dhe planifikimit të trafikut, duke nxjerrë në pah nevojën për përmirësime urgjente.
Ndërkohë, deputeti i PDS-së, Oskar Huter, shprehu shqetësimin se raporti nuk reflekton në mënyrë të mjaftueshme cilësinë e zbatimit të ligjit apo shkallën e respektimit të të drejtës kushtetuese për lirinë e tubimit, sipas Nenit 52 të Kushtetutës së Malit të Zi. Ai kërkoi sqarime nëse vendimet për ndalimin e tubimeve kanë pasur bazë të fortë ligjore apo janë ndikuar nga motive politike.