BE-ja DISBURSON RRETH 100 MILIONË EURO PËR SHQIPËRINË NË KUADËR TË PLANIT TË RRITJES

Bashkimi Evropian (BE) ka disbursuar rreth 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri thuhet se fondet do të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të nxitur më tej rritjen ekonomike dhe për të forcuar institucionet publike.

“Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës së saj të Reformave dhe Rritjes sipas Planit të Rritjes së BE-së, duke përmbushur 21 nga 41 masat e planifikuara të reformës (51 për qind) nga dhjetori 2024 deri në qershor 2025. Kjo ka bërë që Komisioni Evropian të disbursojë 99,3 milionë euro në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, duke e bërë Shqipërinë zbatuesen më të mirë në rajon për këtë periudhë raportimi”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se pagesa, e cila u njoftua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë javën e kaluar, dëshmon se Shqipëria ka zbatuar reforma të qëndrueshme strukturore në fusha kyçe si energjia, digjitalizimi, konkurrueshmëria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe integrimi ekonomik.

“Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor po jep rezultate në Shqipëri. Vendi po bën përparim të qëndrueshëm përmes Agjendës së Reformave dhe Rritjes dhe BE-ja po përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Ky disbursim i ri prej 100 milionë eurosh përputhet me hapat që ka ndërmarrë Shqipëria për të çuar përpara reformat që sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e saj. Nisma të tjera të Planit të Rritjes po japin gjithashtu rezultate”, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor është një nismë e ndërmarrë nga Komisioni Evropian për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian dhe sipas BE-së për t’u sjellë qytetarëve përfitimet e integrimit evropian edhe para anëtarësimit.

SHARE